Një konflikt i çastit është kthyer në tragjedi në qytetin e Vlorës, ku një 63-vjeçar ka humbur jetën pas një përplasjeje fizike.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Pavarësia”, pranë rrugës “Çipaj”, ku sipas informacioneve paraprake, disa persona janë përfshirë në një sherr banal që ka degraduar në dhunë.
Si pasojë e goditjeve të marra, ka ndërruar jetë 63-vjeçari Ismail Aliaj, i cili u transportua me urgjencë drejt spitalit, por nuk mundi t’i mbijetojë plagëve.
Burime spitalore bëjnë me dije se viktima ka pësuar dëmtime të rënda në fytyrë dhe në zonën e grykës, të cilat rezultuan fatale.
Nga përplasja ka mbetur i lënduar edhe djali i viktimës, i cili fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, Policia e Vlorës ka nisur kërkimet për autorët, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave që çuan në këtë ngjarje të rëndë.

