Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar Donald Trump për fitore në garën presidenciale kundër demokrates Kamala Harris në SHBA – fitore që ende nuk është konfirmuar.
“Në emër të popullit të Republikës së Kosovës, i shpreh urimet tona më të përzemërta Donald Trumpit dhe [kandidatit për zëvendëspresident] JD Vance, për zgjedhjen e tyre si president dhe zëvendëspresident të Shteteve të Bashkuara”, shkroi Osmani.
Ajo theksoi se SHBA-ja mbetet partner dhe aleat “i palëkundur dhe i pazëvendësueshëm” për Kosovën.
“Pres me padurim të punoj me administratën e re për të thelluar më tej lidhjen tonë unike dhe aleancën strategjike”, shkroi Osmani në X.
Edhe pse fitorja e Trumpit ende nuk është konfirmuar, ai duket të jetë pranë fitores pasi ka siguruar shtetet kyçe si Pensilvania dhe Karolina e Veriut dhe ka avantazh në katër të tjera, sipas sondazhit të Edison Research.


