Policia e Tiranës ka arrestuar dy persona që kishin kryer një vjedhje në një banesë në Vorë, gjatë orëve të para të mëngjesit të djeshëm.
Në pranga ranë J. S., 38 vjeç, banues në fshatin Gërdec, dhe J. D., 19 vjeç, banues në Karpen, të cilët akuzohen për vjedhje në bashkëpunim.
Sipas Policisë, të dy u kapën pak orë pas grabitjes së kryer në fshatin Sakos, Vorë, ku kishin marrë rreth 100 litra naftë dhe pajisje të tjera nga një banesë.
Hetimet zbuluan se 38-vjeçari J. S. ishte shpallur më herët në kërkim, pasi Gjykata e Lezhës kishte vendosur ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg”, për një tjetër vjedhje të kryer në korrik 2025, në një magazinë përgjatë autostradës Mamurras–Tiranë, ku dyshohet se kishte vepruar në bashkëpunim me vëllain e tij, tashmë të arrestuar.
Operacioni policor, i koduar “Walkers”, u finalizua nga Komisariati Nr. 7, në bashkëpunim me strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.
“Vijojnë hetimet për të zbardhur vjedhje të tjera që mund të kenë kryer shtetasit e arrestuar,” – njofton Policia e Shtetit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

