Vendimi i Princit Andrew për të hequr dorë nga titujt dhe nderimet e tij nuk ka ndalur hetimet që po zhvillohen për lidhjet e tij me financierin e ndjerë Jeffrey Epstein.
Megjithëse princi ka njoftuar se nuk do t’i përdorë më titujt e tij zyrtarë, përfshirë atë të Dukës së Jorkut, janë shtuar kërkesat që këto tituj t’i hiqen plotësisht në mënyrë ligjore.
Deputetja e Jorkut, Rachael Maskell, ka deklaruar se shumë prej zgjedhësve të saj nuk duan më që qyteti të lidhet me familjen mbretërore dhe ka bërë thirrje që qeveria të ndryshojë ligjin për të mundësuar heqjen përfundimtare të titujve.
Ndërkohë, autoritetet kanë hapur një hetim të ri mbi pretendimet se Princi Andrew i ka kërkuar një oficeri të sigurisë informacione personale për Virginia Giuffre, gruan që e ka akuzuar se e detyroi të kryente marrëdhënie seksuale me të – një akuzë që ai e ka mohuar në mënyrë të përsëritur.

