Autoritetet portugeze kanë realizuar sekuestrimin më të madh të kokainës në historinë e vendit dhe një nga më të mëdhenjtë në Europë, pas ndalimit të një mjeti gjysmë-nëndetës që vinte nga Amerika Latine.
Operacioni, i koduar “Adamastor”, u zhvillua në det të hapur, rreth 230 milje detare nga Ishujt Azore, ku forcat portugeze kapën një “narko-nëndetëse” që transportonte qindra pako kokaine. Sipas autoriteteve, u sekuestruan 265 pako, me një peshë totale të vlerësuar në rreth 9 tonë lëndë narkotike.
Gjatë ndërhyrjes, mjeti u fundos, duke bërë që rreth 35 pako të humbasin në det. Sasia e kapur, sipas hetuesve, do t’u sillte trafikantëve qindra miliona euro fitime në tregun europian.
Në bord ndodheshin tre shtetas kolumbianë dhe një venezuelian, të cilët u shpëtuan para fundosjes së mjetit dhe më pas u arrestuan. Ata dyshohen se janë pjesë e një rrjeti kriminal ndërkombëtar dhe do të merren në pyetje në Ponta Delgada, në Azore.
Autoritetet portugeze nuk kanë bërë publik destinacionin përfundimtar të ngarkesës, por theksuan se droga nuk ishte e destinuar për një shtet të vetëm, por për shpërndarje të gjerë në Europë.
Operacioni u zhvillua në bashkëpunim me Marinën Ushtarake dhe Forcat Ajrore Portugeze, si dhe me mbështetjen e DEA dhe JIATF-S nga SHBA, NCA nga Mbretëria e Bashkuar dhe strukturave të MAOC-N, në kushte të vështira atmosferike. Hetimet vijojnë nën mbikëqyrjen e DIAP të Rajonit të Azoreve.

