Policia e Fierit dhe e Lushnjës ka arrestuar tre shtetas, të akuzuar për zjarrvënie të qëllimshme, që kanë rrezikuar banesa dhe kanë shkaktuar djegien e sipërfaqeve me bimësi të egër.
Në Fier, 68-vjeçari F. B., banues në lagjen “Bishanak” dhe me precedent penal për zjarrvënie dhe dhunë në familje, u kap në flagrancë duke ndezur zjarr përgjatë argjinaturës së lumit Gjanica. Hetimet treguan se ai dyshohet të ketë ndezur edhe tre vatra të tjera zjarri në të njëjtën lagje. Si pasojë e flakëve, u dogj një sipërfaqe e konsiderueshme toke me bimësi të egër.
Në Lushnjë, 61-vjeçari G. H. dyshohet se ndezi zjarr në tokën e tij, në lagjen “18 Tetori”, për djegien e mbeturinave. Flakët u përhapën deri tek ish fusha e mbetjeve urbane, duke rrezikuar banesa.
Ndërkohë, 62-vjeçari N. D., banues në fshatin Delisufaj, akuzohet se ndezi zjarr pranë banesës së tij për djegien e mbeturinave. Zjarri u përhap në një territor të gjerë të fshatit dhe rrezikoi disa banesa.
Të tre personat do të përballen me akuzën e zjarrvënies së qëllimshme, ndërsa materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë e Fierit për veprime të mëtejshme.
Policia e Fierit apelon qytetarët të mos ndezin zjarre në asnjë rrethanë, duke paralajmëruar masa të rrepta ligjore për shkelësit. Po ashtu, kërkohet bashkëpunimi i komunitetit për denoncimin e rasteve të zjarrvënies në numrin 112.
Radar.al


