HelloSafe ka publikuar një analizë të re për vitin 2026 mbi vendet më të pasura në botë, ku renditja nuk bazohet vetëm në prodhimin ekonomik, por edhe në mirëqenien reale të qytetarëve.
Sipas këtij “Indeksi të Prosperitetit”, që kombinon të ardhurat për banor, nivelin e pabarazisë dhe tregues socialë si shëndetësia dhe cilësia e jetesës, në vend të parë renditet Norvegjia.
Raporti thekson se matja tradicionale e GDP-së për banor nuk pasqyron gjithmonë realitetin e jetesës, pasi nuk tregon mënyrën se si shpërndahet pasuria në shoqëri. Një shembull i përmendur është Irlanda, e cila ka tregues shumë të lartë ekonomikë, por të ndikuar nga prania e kompanive shumëkombëshe.
Në renditjen e përgjithshme, pas Norvegjisë vijnë Irlanda dhe Luksemburgu, ndërsa në listë përfshihen edhe vende si Islanda dhe Singapori, të cilat vlerësohen për standardin e lartë të jetesës, por edhe për sfida të ndryshme sociale.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës renditen më poshtë në këtë indeks, kryesisht për shkak të niveleve më të larta të pabarazisë, ndërsa vende si Franca, Italia dhe Spanja mbeten në pozicione mesatare.
Në përfundim, analiza nënvizon se koncepti i pasurisë po ndryshon, duke kaluar nga thjesht rritja ekonomike drejt një vlerësimi më të gjerë të mirëqenies dhe cilësisë së jetës së qytetarëve.

