Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nuk e ka kursyer një thumb për protestën e thirrur sot nga opozita.
Pasi inspektoi përfundimin e punimeve në një bllok banimi në Yzberisht, Veliaj tha se qytetarët duan të jenë palë me ata që bëjnë punë dhe jo me ata që do të mbahen mend për djegie gomash.
“Dikush do të mbahet mend për sherre e djegie gomash, dikush do të mbahet mend për asfalt, për ndriçim, për kanalizime, për këndet e lodrave, për sheshet e pushimit. Bota kështu është ndarë: disa bëjnë vetëm llafe, disa do bëjnë punë. Ftesa ime për qytetarët është: Ejani ta bëjmë revolucionin këtu, të ndërtojmë një jetë shumë herë më të mirë, secili në shtëpinë e tij, sesa ta bëjmë revolucionin me telekomandë për ata që mezi presin të shkojnë te Gjiri i Lalzit”, tha ai.