Autoritetet shëndetësore në shtetin amerikan të Misisipit kanë shpallur gjendje emergjente shëndetësore publike, pas rritjes shqetësuese të shkallës së vdekshmërisë së foshnjave.
Sipas të dhënave të vitit 2024, Misisipi regjistroi 9.7 vdekje foshnjash për çdo 1,000 lindje të gjalla – niveli më i lartë i shënuar në më shumë se dhjetë vjet. Statistikat tregojnë se që nga viti 2014, 3,527 foshnja kanë humbur jetën përpara se të mbushnin ditëlindjen e parë.
“Shumë familje po përballen me humbje të parakohshme dhe tragjike. Çdo vdekje është një botë e shkatërruar – një familje në zi, një komunitet i prekur dhe një e ardhme e ndërprerë”, deklaroi Zyrtari i Shëndetit të Shtetit, Dr. Dan Edney.
Shkaqet kryesore të këtyre vdekjeve lidhen me keqformimet kongjenitale, lindjet e parakohshme, peshën e ulët në lindje dhe Sindromën e Vdekjes së Papritur të Foshnjave.
Autoritetet theksojnë se situata kërkon masa urgjente, ndërsa shpallja e emergjencës synon mobilizimin e burimeve dhe ndërhyrjeve për të ulur këtë bilanc alarmues.


