Është arrestuar autori i dyshuar i vrasjes së 31-vjeçarit Egli Pashollari, ngjarje e ndodhur më 20 shkurt në zonën e ish-Parkut, në rrugën “Kongresi i Lushnjës” në Tiranë.
Sipas gazetares Xhensila Kodra për News24, i dyshuari Gazment Buçpapa është lokalizuar dhe arrestuar në Tropojë, ku fshihej në një banesë.
Njoftimi i Policisë
Policia dhe Prokuroria e Tiranës finalizuan operacionin e koduar “Distanca”, pas një ndjekjeje intensive dhe punë të mirëorganizuar operacionale.
Sipas njoftimit zyrtar, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në koordinim me Prokurorinë, arritën të lokalizojnë dhe të mbajnë në mbikëqyrje autorin e dyshuar në vendlindjen e tij, në Tropojë.
Në përfundim të operacionit, u bë ndalimi i shtetasit G. B., 40 vjeç, i dyshuar për veprat penale:
“Vrasja me dashje”
“Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur gjatë një konflikti, ku viktima u qëllua me thikë, duke humbur jetën si pasojë e plagëve të marra.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme hetimore.

