Një ngjarje e rëndë ka tronditur sot fshatin Golluboc të Malishevës, ku dy vëllezër janë vrarë me armë zjarri. I dyshuari kryesor për vrasjen e tyre është burri i motrës së viktimave, i cili është ende në arrati.
Sipas informacioneve të para, personi i dyshuar, me inicialet A.I., është larguar menjëherë pas krimit dhe po kërkohet nga Policia e Kosovës.
Rezulton se A.I. ka pasur më herët probleme me ligjin. Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar se ndaj tij ishte ngritur aktakuzë për “Dhunë në familje” dhe “Kanosje”. Mbi të rëndonte edhe një masë paraburgimi e caktuar nga gjykata kompetente më 6 prill 2025.
“Prokuroria më 07.04.2025 ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit A.I. për veprat penale ‘Dhunë në familje’ dhe ‘Kanosje’,” ka bërë të ditur zëdhënësja e Prokurorisë, Kaltrina Shala.
Policia ka konfirmuar se vrasja e dyfishtë ka ndodhur rreth orës 11:00 dhe po vijojnë kërkimet intensive për kapjen e autorit të dyshuar.

