Zbardhen informacione të reja për vrasjen e 31-vjeçarit Egli Pashollari në rrugën “Kongresi i Lushnjës”. Sipas raportimeve, Pashollari sapo kishte dalë nga makina kur u sulmua nga tre persona, dy djem dhe një vajzë. Gjatë përleshjes, njëri prej djemve e goditi në kurriz, duke i shkaktuar plagë fatale.
I plagosuri mori ndihmën e parë pranë një lokali dhe më pas u transportua me makinë drejt spitalit, por nuk arriti të mbijetojë. Autorët janë identifikuar me mbiemrin Buçpapa.
Sipas njoftimit të policisë:
Rreth orës 15:40, gjatë një konflikti në rrugën “Kongresi i Lushnjës”, E. P., 31 vjeç, u godit me një mjet prerës dhe humbi jetën në spital.
Rreth orës 15:50, në Rrugën e Kavajës, gjatë një konflikti tjetër, A. K., 34 vjeç, u plagos me armë zjarri dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia ka identifikuar autorët e dy ngjarjeve, por të dhënat e tyre nuk bëhen publike pasi hetimi vijon. Grupet hetimore po punojnë intensivisht për kapjen e tyre, sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të plotë, si dhe për identifikimin e personave të tjerë të dyshuar të përfshirë në ngjarje.

