Plani i Izraelit për të zhvendosur banorët nga Qyteti i Gazës përbën një “valë të re gjenocidi dhe zhvendosjeje” për qindra mijëra njerëz, ka deklaruar së fundmi Hamasi.
COGAT, organizata izraelite nën Ministrinë e Mbrojtjes, bëri me dije se duke nisur nga java e ardhshme do të sigurohen tenda dhe pajisje strehimi, si pjesë e përgatitjeve të ushtrisë për të zhvendosur popullsinë nga zonat e luftimeve në Rripin jugor të Gazës. Sipas njoftimit, ndihmat do të kalojnë përmes pikës kufitare Kerem Shalom nga OKB-ja dhe organizatat ndërkombëtare, pas inspektimeve të sigurisë.
Hamasi reagoi duke e quajtur këtë “një mashtrim të hapur”, që sipas tij synon të mbulojë “një krim brutal që forcat pushtuese po përgatiten të kryejnë”.
Qeveria izraelite kishte njoftuar më herët këtë muaj planet për një ofensivë të re me qëllim marrjen nën kontroll të Qytetit të Gazës, qendra më e madhe urbane në enklavën palestineze.
Plani ka ngjallur alarm ndërkombëtar për fatin e rreth 2.2 milionë banorëve, të cilët pas gati dy vitesh lufte përballen me urinë dhe krizën humanitare të shkaktuar nga bllokada izraelite ndaj ndihmave.


