Një ngjarje tronditëse ka goditur qytetin e Grazit në Austri, ku një sulm me armë zjarri në një shkollë të mesme ka lënë të paktën 10 viktima. Mes tyre është edhe një vajzë nga Kosova.
Lajmi është konfirmuar nga gazetari kosovar Vehbi Haliti, i cili jeton në Graz. Në një deklaratë për Frontal të T7, ai bëri të ditur se viktima ishte vajza e një anëtari të Unionit Humanitar të shqiptarëve në Austri. “Është një tragjedi ndër më të rëndat në Austri që nga Lufta e Dytë Botërore,” u shpreh Haliti, duke theksuar se për arsye etike nuk do të zbulohej identiteti i saj.
Spitali “Universitätskliniku”m Graz ka konfirmuar vdekjen e një tjetër personi pas plagëve të marra në sulmin e armatosur. Viktima e fundit ishte një i rritur, ndërsa një tjetër i plagosur rëndë ndodhet në gjendje kritike për jetën.
Me këtë humbje, numri i viktimave të sulmit rritet në 10, pa përfshirë autorin e masakrës, i cili kreu vetëvrasje menjëherë pas sulmit.
Sipas autoriteteve austriake, autori i sulmit ishte një 21-vjeçar, ish-nxënës i shkollës, i cili pas masakrës kreu vetëvrasje. Të paktën 12 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur, disa në gjendje kritike.
Në nderim të viktimave, kancelari austriak Christian Stocker shpalli tre ditë zie kombëtare, ndërsa nesër në orën 10:00 do të mbahet një minutë heshtje në të gjithë vendin.


