Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pritet të përballet për herë të katërt brenda gjashtë muajve me një mocion mosbesimi në Parlamentin Evropian, njofton Agjencia Gjermane e Lajmeve (dpa).
Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, ka njoftuar drejtuesit e grupeve politike për nismën, ndërsa debati dhe votimi pritet të zhvillohen javën e ardhshme gjatë seancës plenare në Strasburg.
Mocioni i ri është iniciuar nga grupi i ekstremit të djathtë “Patriotët për Evropën”, që ka kritikuar ashpër von der Leyen, veçanërisht për marrëveshjen tregtare të Bashkimit Evropian me vendet e Mercosur-it – Brazilin, Argjentinën, Uruguain dhe Paraguain.
Në këtë grup bëjnë pjesë eurodeputetë nga Tubimi Kombëtar i Francës i Marine Le Pen dhe nga partia e kryeministrit hungarez Viktor Orbán.
Sipas rregullores së Parlamentit Evropian, një mocion mosbesimi mund të diskutohet dhe hidhet në votim vetëm nëse mbështetet nga të paktën 10% e eurodeputetëve.

