Në një kohë që kanë nisur të dorëzohen dorëheqjet në grup pranë kryetarit Armando Subashi, bëhet me dije se disa drejtues nuk do të preken nga reforma e vetëpastrimit.
Burime nga selia rozë në Fier thanë se, në mbledhjen ku Rama kërkoi dorëheqjen e drejtuesve vendorë, sqaroi se emërimet e bëra pas muajit janar përjashtohen nga ky urdhër.
Në Fier, drejtorët e OSHEE-së, Kadastrës, Tatimeve, nuk do të jenë të detyruar të japin dorëheqjen, pasi janë jo vetëm të emëruar muajt e fundit, por janë edhe figura të reja në administratën publike.
Teksa pika kyçe e këtij aksioni politik të kryeministrit Rama janë drejtuesit e vjetër të administratës vendore, në Fier tashmë dihet se kush do të qëndrojë dhe kush ikën.
Në Bashkinë e Fierit ende nuk janë dhënë dorëheqjet e dy nënkryetarëve, por qarkullojnë zërat se ka që tani një propozim për këtë post dhe është Nustret Avdulla, ish-deputet i PDIU-së, i cili iu bashkua PS-së pas zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të vitit 2021.
Por, i kontaktuar në telefon nga Neës 24, Avdulla ka pohuar se ai, deri më datën 10 shtator, është ende deputet në Kuvendin e Shqipërisë dhe nuk është në dijeni të këtij propozimi.
Nga ana tjetër, disa prej drejtorëve nën varësinë e bashkisë kanë pohuar se nuk do të pranojnë të japin dorëheqjen, pasi janë angazhuar maksimalisht në fushatë./Radar.al


