Prodhimi i qumështit në Shqipëri vijon të bjerë me ritme shqetësuese, ndërsa industria po kompenson mungesën me importe në rritje të qumështit pluhur dhe vajit të palmës, dy përbërës që zëvendësojnë produktet natyrale në shumë produkte ushqimore.
Të dhënat zyrtare të INSTAT për vitin 2024 tregojnë një sasi totale prej 95 mijë tonësh qumësht të grumbulluar në shkallë vendi, që përfaqëson një tkurrje prej 6.6% krahasuar me një vit më parë. Ulja më e ndjeshme është vërejtur tek qumështi i deles (-9.7%), por edhe ai i lopës, që përbën pjesën më të madhe të prodhimit, ka rënë me 6.5%. Si pasojë, ka rënë edhe prodhimi i djathit dhe gjalpit, duke ndikuar direkt në furnizimin e tregut me produkte të freskëta dhe natyrale.
Një ndër arsyet kryesore është pakësimi i ndjeshëm i numrit të lopëve në vend. Nga mbi 342 mijë krerë në vitin 2018, numri është reduktuar në rreth 224 mijë në vitin 2024. Vetëm në periudhën 2021–2023 janë zhdukur rreth 45 mijë krerë. Kjo ka bërë që edhe prodhimi i qumështit të lopës të bjerë ndjeshëm, duke arritur në vetëm 745 mijë litra, nga 964 mijë litra një dekadë më parë.
Industria mbush boshllëkun me qumësht pluhur
Për të përballuar kërkesat e tregut dhe industrisë përpunuese, është rritur përdorimi i qumështit pluhur, i cili sipas të dhënave të siguruara nga “Monitor”, ka shënuar një rritje me 15% në katër muajt e parë të vitit 2025. Rreth 200 mijë kilogramë qumësht pluhur janë importuar gjatë kësaj periudhe, kryesisht nga kompani të mëdha si Super Milk, LUFRA, AD SH-2014, ELKA SA dhe Alta Group.
Edhe pse ligjërisht lejohet vetëm për përdorim në industri specifike si prodhimi i çokollatave, akulloreve dhe ëmbëlsirave, në praktikë ky produkt përdoret edhe për kos, djathë apo të tjera produkte të përditshme, shpesh pa etiketim të saktë dhe në kundërshtim me kuadrin ligjor.
Vaji i palmës zë vendin e yndyrnave natyrale
Një tjetër element shqetësues është përdorimi masiv i vajit të palmës në vend të yndyrnave shtazore. Në vitin 2024, Shqipëria importoi mbi 3 mijë ton vaj palme, një sasi që është rritur ndjeshëm krahasuar me vitin 2014 kur importi ishte vetëm 380 ton. Pavarësisht rreziqeve për shëndetin, ky vaj përdoret gjerësisht në produkte të bulmetit, brumërave dhe ëmbëlsirave.
Kontrollet e kryera nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit kanë zbuluar parregullsi tek prodhuesit kryesorë si LUFRA, ERZENI, Gjirofarm, Delta Doni dhe të tjerë. Edhe pse janë vendosur masa administrative dhe disa produkte janë bllokuar, pjesa më e madhe e tyre janë rikthyer në treg pa u dhënë informacion i plotë publikut.
Ndikimi në shëndetin publik
Ekspertët e lidhin drejtpërdrejt rritjen e konsumit të produkteve me përmbajtje të lartë yndyre me shtimin e rasteve të sëmundjeve të zemrës. Të dhënat më të fundit nga INSTAT tregojnë se 52.9% e të gjitha vdekjeve në vend lidhen me sëmundjet kardiovaskulare.
Kjo situatë tregon se Shqipëria ndodhet përballë një krize të shumëfishtë: nga njëra anë kemi rënien e prodhimit të brendshëm bujqësor dhe nga ana tjetër, një mbushje të tregut me produkte të zëvendësuara që përbëjnë rrezik për shëndetin e konsumatorëve.



