Gazeta britanike The Sun ka publikuar një investigim tronditës mbi mënyrën sesi bandat shqiptare të drogës po adoptojnë taktikat e dhunshme të karteleve meksikane, përfshirë torturat dhe ekzekutimet makabre.
Në qendër të raportimit qëndron rasti i shqiptarit Bekim Halilaj, 29 vjeç, i cili u vra dhe u var në një tabelë rrugore në Bruksel muajin e kaluar — një skenë aq e tmerrshme saqë kalimtarët fillimisht menduan se ishte zbukurim për Halloween.
Sipas The Sun, Halilaj u ekzekutua pasi kishte humbur një dërgesë droge, tetë vjet pasi kishte “përmbytur” Southampton-in me 4 milionë paund kokainë. Ekspertët e krimit thonë se vrasja e tij është shenjë e përshkallëzimit të dhunës mes bandave shqiptare, të cilat po ndjekin shembullin e karteleve meksikane duke përdorur metoda terrori si varja, prerja e kokave dhe torturat.
Kriminologu Ervin Karamuço deklaron për The Sun se “vrasësit meksikanë janë bërë një lloj ‘konsulentësh’ për grupet kriminale shqiptare”, duke u mësuar atyre teknikat e frikësimit dhe të mbulimit të gjurmëve.
“Shkollat e kartelit meksikan për torturë dhe dhunë vdekjeprurëse janë bërë modele për rrjetet kriminale shqiptare. Instruktorë nga kampet e sicarios-ve tani shërbejnë si trajnues për grupet që paguajnë për ‘ekspertizën’ e tyre. Këto metoda janë të sofistikuara dhe lënë pothuajse asnjë gjurmë”, – tha Karamuço.
Ai shton se të ashtuquajturit “ambasadorë shqiptarë” qëndrojnë në Amerikën Latine për të bërë marrëveshje direkt me kartelet.
Artikulli përshkruan sesi viktimat e bandave shqiptare në Britani janë torturuar, djegur në makina, u janë shkulur thonjtë, apo janë zhdukur pa gjurmë.
Në një rast të dokumentuar, një bandë shqiptare në Londrën Lindore rrëmbeu një bashkëkombës, i kërkoi familjes 400.000 paund dhe e torturoi për katër ditë, duke i hequr thonjtë.
Një prej autorëve të lidhur me këtë grup, Nekid Arapi (i njohur si “Kid Vlonjati”), u dënua me 16 muaj burg për trafik droge. Policia britanike deklaroi:
“Personi i rrëmbyer u rrah rëndë dhe i janë hequr thonjtë nga gishtat.”
Nga Southampton në Peqin – një zinxhir hakmarrjesh
Halilaj kishte qenë më parë pjesë e një bande që trafikonte kokainë me vlerë mbi 4 milionë paund nëpërmjet portit të Southampton-it. Ai u dënua në vitin 2017 me shtatë vjet burg dhe u deportua më pas në Shqipëri, për t’u transferuar më vonë në Belgjikë, ku u vra.
Burime të agjencisë RTL Belgique thanë:
“Halilaj u rrëmbye, u ekzekutua dhe u var si paralajmërim për humbjen e një dërgese të madhe droge.”
Gazeta kujton se ngjarje të ngjashme janë shënuar edhe më parë, si rasti i Agim Hoxhës, i cili u gjet i djegur në një makinë pranë Southampton në vitin 2012, dhe më vonë hakmarrja ndaj vrasësit të tij, Arben Lleshi, i cili u ekzekutua brenda burgut të Peqinit në vitin 2018.
Zhdukje të mistershme dhe hakmarrje të reja
Në vitin 2019, 28-vjeçari Aron Kato u rrëmbye në Ilford, në lindje të Londrës, nga një BMW e zezë. Ai nuk është gjetur kurrë. Burime të policisë dyshojnë se u vra për shkak të grabitjes së një ferme kanabisi që kontrollohej nga shqiptarë.
Një video në TikTok, e postuar më vonë, tregonte dy burra të maskuar që rrihnin një shqiptar për hakmarrje ndaj zhdukjes së Katos.
Gazetari Artan Hoxha tha për The Sun se rasti i Halilajt tregon një realitet të frikshëm:
“Është e pabesueshme që, në zemër të Evropës, po shohim metoda që i përkasin karteleve meksikane. Kjo tregon se sa larg është gati të shkojë krimi i organizuar shqiptar.”