Ditën e djeshme u raportua se familja Lleshi nga Hasi, u tronditën nga lajmi i vdekjes së djalit të tyre, Ajet Lleshit.
Kujtojmë se ky i fundit rezultonte i zhdukur që prej datës 6 prill dhe ditën e djeshme pas shumë kërkimeve policia njoftoi se ai u gjet i ngrirë në mes të malit pa shenja jete.
Mirëpo, ditën e sotme kjo është përgënjeshtruar nga Dylber Geca, një i afërm i tij nga Hasi.
Në një lidhje telefonike për emisionin “Breaking” me Fiori Dardhën në Top News. Dylber zbulon detaje shokuese.
“Sa jemi kthyer nga mali. Unë desha të përgënjeshtroj gjithë gazetarët, edhe ato media që shkruan dje se është gjetur Ajet Lleshi. Ai nuk është gjetur, akoma po kërkojmë. Falënderojmë gjithë banorët e bashkisë së Hasit, veçanërisht fshatin Kisha. Riza Lleshi, babai i tij, nuk ka humbur, por është në mal duke kërkuar djalin e vet”, tha Geca.
Sipas një informacioni të konfirmuar nga familjarët, Ajeti është larguar nga banesa më 6 prill për të prerë dru në pyll, por nuk është kthyer më.
Në orën 12:00 të ditës ai ka folur me të atin, Riza Lleshin, duke i thënë: Kam thyer këmbën.
I ati e ka pyetur nëse kishte bukë me vete dhe Ajeti është përgjigjur se kishte, por pas orës 12 të natës, telefoni i tij ka dalë i fikur.
Ndërsa thuhet se po vijojnë hetimet për gjetjen e tij.