Një ngjarje e rëndë është shënuar në fshatin Baincë të komunës së Lipjanit, Kosovë, ku është gjetur i vdekur dhe i groposur një burrë që më herët ishte denoncuar si person i zhdukur.
Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, konfirmoi se rasti po trajtohet si vrasje e rëndë.
“Sot rreth orës 12:00, në fshatin Baicë të Lipjanit, është gjetur i groposur një trup i pajetë (ende i paidentifikuar). Hetuesit policorë, në koordinim me prokurorinë, kanë nisur veprimet procedurale. Trupi është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi dhe identifikim”, deklaroi Ahmeti për mediat.
Sipas informacioneve paraprake, trupi i pajetë dyshohet të jetë Enver Bajraktari, i raportuar si i zhdukur nga familjarët disa ditë më parë. Mësohet se ishin pikërisht të afërmit e viktimës ata që zbuluan vendndodhjen e trupit.
Aktualisht, hetimet janë në vijim dhe ende nuk ka të dhëna zyrtare për motivin e mundshëm apo autorët e kësaj ngjarjeje makabre.
Policia dhe prokuroria kanë nisur punën për zbardhjen e plotë të rastit.


