Binak Kabashi, një 23-vjeçar nga Shipoli i Mitrovicës, ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga një përplasje me armë zjarri që ndodhi të enjten në mbrëmje në Podgoricë, Mal i Zi.
Sipas autoriteteve malazeze, ngjarja ka ndodhur pas një konflikti verbal mes Kabashit dhe një shtetasi shqiptar, të identifikuar me inicialet E.B., po ashtu 23 vjeç. Situata ka degjeneruar në përdorimin e armës, ku Kabashi mbeti i plagosur rëndë dhe u transportua me urgjencë në Qendrën Klinike të Malit të Zi. Pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, i riu nuk arriti të mbijetojë dhe ndërroi jetë në spital.
Lajmin e hidhur e ka konfirmuar edhe babai i viktimës, Ali Kabashi, përmes një postimi prekës në rrjetet sociale.

Ndërkohë, policia e Malit të Zi ka njoftuar se autori i dyshuar, E.B., është arrestuar në zonën e kanionit të lumit Moraça dhe tashmë po përballet me akuza për veprën penale të vrasjes. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes janë në vijim.


