Vijojnë prej disa ditësh kërkimet intensive për gjetjen e 30-vjeçarit Jurgen Karaj, i cili dyshohet se është marrë nga rrjedha e ujit pas rënies së një automjeti në një përrua në fshatin Dars, në Klos.
Që prej datës 10 janar 2026, polumbarët e RENEA-s, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë dhe strukturat e emergjencave, po krehin shtratin e lumit Mat dhe zonat përreth, ku dyshohet se trupi i të riut është transportuar nga rrjedha e fortë e ujit.
30-vjeçari ndodhej në automjet si pasagjer, me drejtues mjeti shtetasin 24-vjeçar Andi Losha, kur ky i fundit humbi kontrollin dhe makina përfundoi në përrua. Shoferi arriti të dalë nga automjeti dhe të shpëtojë, ndërsa Karaj dyshohet se është marrë nga rrjedha e ujit.
Në operacionin e kërkimit janë angazhuar polumbarët e RENEA-s, Forca Kombëtare e Sigurisë, Forca e Posaçme “Shqiponja”, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër dhe Komisariatit të Policisë Mat, si dhe Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi. Në terren ndodhen gjithashtu përfaqësues të Forcave të Armatosura, forca vullnetare dhe familjarë të 30-vjeçarit, të cilët po vijojnë kërkimet në të dyja anët e lumit.
Deri në këto momente, pavarësisht kërkimeve intensive, nuk ka ende asnjë shenjë për gjetjen e trupit të 30-vjeçarit.

