Një 33-vjeçar shqiptar, Olsien Muçobega, u bë simbol i humanizmit në Greqi pasi kamerat e filmuan teksa shpëtonte një dele nga flakët e zjarrit në Patra. Pamjet ku ai e merr kafshën në krah dhe e largon me motor prekën zemrat e grekëve dhe u shpërndanë me shpejtësi në rrjetet sociale.
Por Olsieni, i cili prej dekadash jeton në Greqi, tregoi se ky nuk ishte i vetmi akt: “Shpëtuam shumë kafshë atë ditë. Dhe qen, shumë qen të lidhur. Po çmendem me atë që bëjnë njerëzit, ikin dhe i lënë qentë të lidhur. Kjo nuk është neglizhencë, është krim”, tha ai për mediat greke.
I lindur në Tepelenë dhe rritur në Greqi që në moshën 3 vjeç, Olsieni ka punuar në profesione të ndryshme për të mbajtur familjen e tij. Sot është i martuar me një grua greke dhe ka dy fëmijë, por ende përballet me pengesa burokratike për të marrë nënshtetësinë greke.
“Jam i çmendur pas kafshëve”, thotë ai, duke rrëfyer se atë ditë u bashkua me një grup vullnetarësh për të ndihmuar zjarrfikësit. Ndërsa shumë e quajnë “hero”, Olsieni e sheh ndryshe: thjesht një njeri që bëri atë që duhej – të qëndronte pranë çdo qenieje të gjallë në një ditë katastrofe.


