Kreu i Grupit të PS, Taulant Balla është përfshirë në një debat publik me gazetarin e BIRN, ekspertin e ekonomisë, Gjergj Erebara. Shkak është bërë një postim ironik që gazetari ka hedhur në Facebook.
“Urgjent të mblidhen 30 patronazhistë ta bëjnë P-në B. Pranohen edhe trafikantë droge nga Elbasani. Kjo foto është krijim artistik dhe nuk reflekton postim real,” shkruan Erebara krahas fotos.

Pas këtij postimi, Kreu i Grupit Parlamentar reagoi ashpër, duke e shtrirë kritikën jo vetëm ndaj gazetarit, por edhe ndaj BIRN-it dhe donatorëve të organizatës.
“Ky “falsifikator” qenka redaktor/bashkëpunëtor i BIRN Albania, një organizatë që u merrka me gazetari investigative si dhe me trajnimin e gazetarëve dhe projekte për forcimin e transparencës dhe llogaridhënies. Hajde mision hajde. Hajde gazetari investigative hajde. TURP!”

Në reagimin e tij, Balla vijon: “Organizata u financoka nga donatorë ndërkombëtarë, përfshirë programe të Bashkimit Evropian, ambasada, fondacione dhe organizata ndërkombëtare, sipas projekteve që zbaton. Madje deklaron se misioni i saj është promovimi i gazetarisë cilësore, transparencës, llogaridhënies dhe vlerave demokratike.
Kam një pyetje për këto donatorët: Fondacioni Shoqëria e Hapur në Shqipëri (OSFA), Agjencinë Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim (SIDA) dhe ambasadat e disa vendeve (nuk po i përmend këtu sepse do t’i drejtohem direkt), a është kjo në foto ajo gazetaria cilësore, transparente, që ju keni financuar? A mendoni se në vendet tuaja mund të lejohet që redaktori i një mediaje të financuar me para publike të falsifikojë dhe fyejë deri në këtë nivel?”


