Trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel, dha analizën e tij pas fitores 2-0 ndaj Shqipërisë, duke vlerësuar maksimalisht kuqezinjtë dhe rrugëtimin e tyre drejt Kupës së Botës.
“Nuk ishte aspak e lehtë. Shqipëria nuk duhet parë si kundërshtar i thjeshtë — e kemi parashikuar këtë. Është një skuadër e fortë, që ka pësuar vetëm 5 gola, 4 prej të cilëve nga ne. Kanë stadium të ri dhe modern, lojtarë me cilësi dhe një trajner shumë të mirë. Nga ndeshja e fundit, ekipit i dallohet progresi,” u shpreh Tuchel.
Ai theksoi rëndësinë e golit të parë:
“Ishte thelbësore të shënonim të parët, sepse na dha avantazhin që duhej. Më pas arritëm të menaxhonim mirë lojën.”
Tuchel shtoi se Anglia ishte përgatitur posaçërisht për përballjet me Shqipërinë dhe Serbinë:
“Këto dy ndeshje kanë qenë më të vështirat. Janë kundërshtarët tanë kryesorë. Bëmë stërvitje të posaçme për t’u përballur me Serbinë dhe Shqipërinë.”
Mesazhi i tij i fundit ishte një inkurajim i qartë:
“Shihemi në Kupën e Botës! Ju e keni shansin tuaj — keni lojtarë, keni stadium, keni tifozë. Vazhdoni të shtyni përpara.”

