Site icon Informohu siç duhet

Trump: Vendet e Këshillit të Paqes gati të kontribuojnë me 5 mld dollarë për Gazën

SHBA– Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se vendet pjesëmarrëse në Këshillin për Paqen në Gaza janë angazhuar të kontribuojnë me mbi 5 miliardë dollarë për t’i dhënë fund luftës në rajon dhe për rindërtimin e tij.

Përmes një postimi në platformën Truth Social, Trump njoftoi gjithashtu se më 19 shkurt do të zhvillohet një takim i ri me anëtarët e Këshillit të Paqes në Institutin e Paqes “Donald J. Trump” në Uashington, ku do të bëhen publike detajet për zbatimin e fazës së parë të planit.

Sipas Trump shtetet anëtare kanë premtuar më shumë se 5 miliardë dollarë për përpjekjet humanitare dhe rindërtimin e Gazës, si dhe kanë vënë në dispozicion mijëra efektivë për Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit dhe Policinë Lokale, me qëllim garantimin e sigurisë dhe paqes për popullsinë civile.

Trump theksoi se Hamasi duhet të respektojë angazhimin për çmilitarizim të plotë dhe të menjëhershëm në territor, në mënyrë që të ruhet stabiliteti afatgjatë.

“Këshilli i Paqes ka potencial të pakufizuar. Tetorin e kaluar bëra publik planin tim për përfundimin përfundimtar të konfliktit në Gaza dhe vizioni im u miratua njëzëri nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së. Më pas lehtësuam ndihmën humanitare me ritëm rekord dhe siguruam lirimin e të gjithë pengjeve, të gjallë dhe të vdekur. Muajin e kaluar, anëtarët themelues u takuan me mua në Davos të Zvicrës për të festuar themelimin zyrtar dhe për të paraqitur një vizion të guximshëm për civilët në Gaza.”– deklaroi ai.

Në përfundim, presidenti amerikan u shpreh se Këshilli i Paqes “do të dëshmohet si organi më i rëndësishëm ndërkombëtar në histori” dhe shtoi se është nder për të që shërben si president i tij./Radar.al

Exit mobile version