Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka bërë deklarata të forta ndaj kryeministres italiane Giorgia Meloni dhe ndaj kreut të Kishës Katolike gjatë një interviste për gazetën italiane Corriere della Sera.
Duke komentuar qëndrimin e Italisë për çështjet e luftës dhe sigurisë energjetike, Trump u shpreh i zhgënjyer nga Meloni, duke thënë: “Ajo nuk dëshiron të na ndihmojë, mendova se kishte guxim, por gabohesha.” Ai shtoi se Italia nuk po bashkëpunon siç duhet dhe se pret që SHBA të marrë përsipër barrën kryesore.
Në intervistë, ai theksoi gjithashtu se nuk ka pasur komunikim të fundit me kryeministren italiane. “Jo… nuk kemi folur për një kohë të gjatë,” tha Trump, duke nënvizuar se arsyeja lidhet me mungesën e mbështetjes nga Italia në kuadër të NATO dhe çështjeve që lidhen me sigurinë ndërkombëtare.
Presidenti amerikan kritikoi edhe rolin e Evropës në përgjithësi, duke deklaruar: “Evropa po shkatërron veten nga brenda me politikat e saj të imigracionit dhe energjisë. Ata paguajnë kostot më të larta të energjisë në botë dhe as nuk janë të përgatitur të luftojnë për Ngushticën e Hormuzit… Ata varen nga Donald Trump për ta mbajtur atë të hapur.”
Trump rezervoi kritika edhe për Papën, duke u shprehur se ai nuk e kupton situatën në Iran dhe rreziqet që lidhen me armët bërthamore. “Papa nuk e kupton çfarë po ndodh dhe nuk duhet të flasë për luftën… nuk ka idenë se çfarë po ndodh,” deklaroi ai, duke shtuar se sipas tij kërcënimet janë serioze.
Në vijim, ai vuri në dyshim edhe funksionimin e NATO-s, duke e cilësuar aleancën si joefikase: “NATO është një tigër letre,” u shpreh Trump, duke shtuar se vendet anëtare nuk po kontribuojnë mjaftueshëm për sigurinë kolektive.
Gjatë intervistës, ai kritikoi gjithashtu politikat e emigracionit në Evropë, duke pretenduar se ato po dëmtojnë stabilitetin e vendeve evropiane.
Në fund, duke komentuar zhvillimet politike në Hungari, Trump foli për Viktor Orbán, për të cilin tha: “Ai ishte një mik i imi, një njeri i mirë… ai nuk i la njerëzit të vinin dhe ta shkatërronin vendin e tij siç bëri Italia.”

