Ish-presidenti amerikan Donald Trump, gjatë një mbledhjeje të mbyllur me donatorë në vitin 2024, ka rrëfyer se i kishte dhënë një paralajmërim të fortë presidentit rus Vladimir Putin përpara se ky i fundit të niste agresionin ndaj Ukrainës. Sipas një regjistrimi audio të siguruar nga CNN, Trump ka deklaruar se i kishte thënë Putinit se nëse do të pushtonte Ukrainën, SHBA do të përgjigjej me sulm ndaj Moskës.
“E paralajmërova: Nëse hyn në Ukrainë, do të bombardoj Moskën. Nuk më linte asnjë rrugë tjetër,” dëgjohet të thotë Trump në audio. Më tej, ai shton se Putini nuk e kishte marrë krejtësisht seriozisht, por “më besoi 10%”.
Trump ka përmendur edhe një episod të ngjashëm me Presidentin kinez Xi Jinping, lidhur me tensionet në Tajvan. Sipas tij, ai e kishte paralajmëruar Xi se nëse Kina do të ndërmerrte një pushtim, Shtetet e Bashkuara do të përgjigjeshin me një sulm në Pekin. “Mendoi se isha i çmendur,” tha Trump, duke shtuar më tej: “Por nuk kemi pasur kurrë ndonjë problem.”
Deklaratat e Trump kanë ngjallur diskutime të shumta në qarqet politike dhe diplomatike, veçanërisht për tonin kërcënues dhe mënyrën e komunikimit me liderët e dy fuqive botërore.


