Donald Trump ka vendosur të bëjë një hap pas në përpjekjet për të ndalur luftën në Ukrainë, duke lejuar që organizimi i takimit të parë mes presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky të zhvillohet pa pjesëmarrjen e tij direkte.
Sipas zyrtarëve të administratës, Trump do të ndërhyjë vetëm në një fazë të mëvonshme, me një takim trepalësh, pas zhvillimit të takimit fillestar mes dy liderëve.
Në një intervistë telefonike me talk-show-n e Mark Levin, Trump theksoi se synimi i tij është të vëzhgojë fillimisht zhvillimet e takimit mes Putinit dhe Zelensky-t, pa u përfshirë në negociatat e drejtpërdrejta. Ai pranoi se përfundimi i konfliktit në Ukrainë ka qenë më i vështirë se sa kishte parashikuar, duke shtuar se vitin e kaluar kishte deklaruar se mund ta arrinte një marrëveshje brenda 24 orësh.
Vendimi i tij reflekton një qasje më të kujdesshme, ndërkohë që Trump ka bërë përpjekje të ndërmjetësojë paqen përmes takimeve me liderët ukrainas dhe europianë në Shtëpinë e Bardhë, por pa rezultatin e dëshiruar deri më tani.
Në fokus mbetet pyetja nëse dy liderët, Putin dhe Zelensky, do të arrijnë të zhvillojnë një takim të drejtpërdrejtë, i cili mund të shërbejë si hap i parë drejt një marrëveshjeje më të gjerë paqësore.


