Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i dorëzoi personalisht presidentit rus Vladimir Putin një letër nga bashkëshortja e tij, Melania Trump, gjatë samitit të tyre, raporton Reuters.
Sipas dy zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë, letra kishte një karakter personal dhe lidhej me gjendjen e vështirë të fëmijëve në Ukrainë dhe Rusi, veçanërisht me ata të rrëmbyer gjatë luftës. Megjithatë, përmbajtja e saj nuk u bë publike.
Zonja e parë, e lindur në Slloveni, nuk ishte pjesë e udhëtimit për në Alaska, ku u zhvillua takimi mes dy liderëve.
Kievi ka akuzuar Rusinë për rrëmbimin e dhjetëra mijëra fëmijëve ukrainas, të cilët janë transferuar në Rusi ose në territore të pushtuara pa pëlqimin e prindërve apo kujdestarëve. Ukraina e konsideron këtë veprim një krim lufte që përputhet me përkufizimin e gjenocidit në traktatin e OKB-së.
Nga ana tjetër, Moska ka mohuar akuzat duke pretenduar se ka marrë masa për të mbrojtur fëmijët e cenueshëm nga zonat e luftës.


