Presidenti amerikan Donald Trump ka pranuar të shqyrtojë mundësinë e tërheqjes së një pjese të agjentëve të emigracionit (ICE) nga shteti i Minesotës, pas një bisede telefonike me guvernatorin Tim Walz, bëri të ditur zyra e këtij të fundit.
Sipas njoftimit zyrtar, telefonata mes dy palëve u cilësua si “produktive”, ndërsa Trump u shpreh i gatshëm të ulë praninë federale dhe të forcojë bashkëpunimin me autoritetet shtetërore, veçanërisht në ndjekjen e kriminelëve të dhunshëm. Presidenti pranoi gjithashtu të diskutojë me Departamentin e Sigurisë Kombëtare, për t’i hapur rrugë një hetimi të pavarur nga autoritetet e Minesotës për ngjarjet e fundit.
Në lidhje me vdekjen e Alex Pretti-t, Trump e cilësoi atë si një “tragjedi”, por Shtëpia e Bardhë theksoi se presidenti e lidh situatën me atë që e quan “rezistencë e qëllimshme dhe armiqësore” nga demokratët ndaj politikave të emigracionit. Zëdhënësja Karoline Leavitt deklaroi se Trump nuk dëshiron dhunë në rrugë, por kërkon fundin e kaosit që, sipas tij, shoqëron proceset e dëbimit.
Më herët, Trump shkroi në rrjetin Truth Social se guvernatori Walz e kishte kontaktuar për të bashkëpunuar mbi situatën në Minesota dhe se ishte shprehur i kënaqur me dërgimin e Tom Homan, të njohur si “cari i kufijve”, në këtë shtet.
“Ishte një telefonatë shumë e mirë dhe ishim në të njëjtën linjë. Synimi ynë është arrestimi i kriminelëve”, shkroi Trump, duke shtuar se si ai ashtu edhe guvernatori synojnë ulje të mëtejshme të kriminalitetit, pavarësisht rënies së ndjeshme të tij muajt e fundit.
Komunikimi mes dy palëve vjen dy ditë pas vrasjes së Alex Pretti-t nga agjentët e ICE-s dhe shihet si një përpjekje për uljen e tensioneve. Megjithatë, sipas The Guardian, situata mund të përshkallëzohet sërish për shkak të një vendimi të pritshëm të një gjykate federale mbi ligjshmërinë e operacionit “Metro Surge” kundër emigrantëve.

