Site icon Informohu siç duhet

Tronditet Uashingtoni/ Qëllohen dy anëtarë të Gardës Kombëtare, arrestohet autori. Trump: Do të paguajë një çmim të lartë

SHBA është tronditur rëndë këtë të mërkurë, pasi dy anëtarë të Gardës Kombëtare u qëlluan gjatë një incidenti me armë zjarri vetëm një bllok larg Shtëpisë së Bardhë, në qendër të Uashingtonit. Ngjarja ndodhi në kryqëzimin mes Rrugës së 17-të dhe Rrugës H NW, një zonë e njohur për afërsinë me ndërtesën presidenciale dhe për sigurinë e lartë që ofrohet zakonisht në atë perimetër.

Policia e Uashingtonit konfirmoi se një i dyshuar është arrestuar dhe po merret në pyetje. Sipas të dhënave paraprake, dy pjesëtarët e Gardës Kombëtare kanë hapur zjarr për t’u mbrojtur para se të goditeshin fatalisht. Megjithatë, ende nuk dihet nëse ata kanë qenë shënjestra e sulmit apo janë përfshirë ndërsa përpiqeshin të parandalonin një përplasje të armatosur.

Presidenti Donald Trump reagoi menjëherë në rrjetin social “Truth”, duke ashpërsuar tonet ndaj autorit të dyshuar të ngjarjes.
“Kafsha që qëlloi dy anëtarët e Gardës Kombëtare është gjithashtu plagosur rëndë. Ai do të paguajë një çmim shumë të lartë”, shkroi Trump, duke shprehur solidaritet me forcat e sigurisë.

Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë njoftoi se Presidenti është informuar rregullisht mbi zhvillimet dhe se incidenti po monitorohet nga afër. Si masë sigurie, autoritetet pezulluan një pjesë të operacioneve në Aeroportin Ndërkombëtar Ronald Reagan, duke ndaluar përkohësisht nisjet e fluturimeve.

Zona ku ndodhi krisma është rrethuar me shirita të verdhë, ndërsa një numër i madh mjetesh policore dhe ekipe emergjence ndodhen në vendngjarje. Deri më tani nuk ka detaje mbi motivin e sulmit, ndërsa hetimet të cilat janë në fazë intensive pritet të hedhin më shumë dritë mbi këtë incident të rëndë në zemër të kryeqytetit amerikan.

Exit mobile version