Policia e Tiranës ka finalizuar fazën e shtatë të operacionit të koduar “Relay”, duke arrestuar një 35-vjeçare të dyshuar për trafikim të emigrantëve që synonin të kalonin ilegalisht drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Në pranga u vu shtetasja E. Ç., 35 vjeçe, banuese në Rrogozhinë, e cila u kap në flagrancë në afërsi të Lezhës, teksa transportonte me një automjet tip “BMW” pesë emigrantë, të cilët i kishte marrë në Vorë. Automjeti u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Sipas hetimeve paraprake, 35-vjeçarja dyshohet se iu ka marrë secilit prej emigrantëve nga 2500 euro, me premtimin se do t’i transportonte ilegalisht drejt Italisë. Operacioni u zhvillua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve në bashkëpunim me DVP Lezhë, pas marrjes së informacioneve operative për aktivitetin e paligjshëm.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, hetimet vijojnë për të identifikuar persona të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë skemë. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

