Programi “Aftësi për Punësim” ka nisur zbatimin e fazës së parë në nivel kombëtar, me synimin për të pajisur të papunët me aftësi bazë, digjitale dhe sociale që i ndihmojnë të integrohen në tregun e punës.
Sipas Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, deri tani janë trajnuar 40 instruktorë dhe kanë përfituar 600 persona nga kategoritë më të prekshme, përfshirë të rinjtë dhe individët me akses të kufizuar në arsim.
Programi fokusohet në formimin bazë profesional, me theks tek aftësitë digjitale dhe orientimi drejt profesioneve më të kërkuara në treg. Pjesëmarrësit mbështeten gjithashtu në hartimin e planeve personale të karrierës, për një punësim të qëndrueshëm.
Faza e parë po shtrihet në të gjithë vendin dhe objektivi është zgjerimi i mëtejshëm për të përfshirë sa më shumë persona në nevojë.


