Një ngjarje tragjike ka shokuar opinionin publik në Brazil, ku një djalë 7-vjeçar humbi jetën dhe dy persona të tjerë ndodhen në gjendje kritike, pasi konsumuan vezët e Pashkëve që dyshohet se ishin helmuar nga ish-e dashura e partnerit të mamasë së tij.
Në lidhje me këtë ngjarje mësohet se është vënë në pranga shtetasja braziliane Jordélia Pereira Barbosa, 35 vjeç, nën dyshimin se dërgoi çokollata të helmuara drejt shtëpisë së Mirian Lirës – partnerja e re e ish-të dashurit të saj.
Mediat e huaja raportojnë se këtë veprim dyshohet se e ka bërë për shkaqe hakmarrjeje.
Referuar hetimeve paraprake mësohet se vezët e Pashkëve mbërritën të mërkurën në banesën e Mirian Lirës në qytetin Imperatriz, të shoqëruara me një kartolinë ku shkruhej: “Me dashuri, për Mirian Lirën. Gëzuar Pashkët.”
Pak minuta pas konsumimit të çokollatës, djali i Lirës, Luis Fernando Rocha Silva, 7 vjeç, u sëmur rëndë dhe u dërgua me urgjencë drejt spitalit ku fatkeqësisht humbi jetën në orët e para të së enjtes.
Nga ana tjetër nëna 32-vjeçare dhe vajza e saj 13-vjeçare, Evelyn Fernanda, ndodhen në gjendje kritike, të intubuara në spital.
Mostrat e çokollatave u dërguan analizë mjeko-ligjore për të konfirmuar praninë e helmimit.
Ndërsa autoritetet vendase janë të bindura se Barbosa është autorja e këtij akti criminal.
E dyshuara u ndalua në një autobus teksa po udhëtonte drejt Santa Inês, ku ajo jeton.
Ajo ishte fshehur përkohësisht në një hotel në Imperatriz, 200 milje larg shtëpisë së saj. Hetuesit kanë gjetur fatura blerjesh dhe kanë siguruar pamje nga kamerat e sigurisë, ku Barbosa shihet teksa blen vezët e çokollatës në një dyqan, duke mbajtur një parukë të zezë dhe syze të errëta për të fshehur identitetin.
Në deklaratën e dhënë në stacionin e policisë në Santa Inês, Barbosa pranoi se kishte blerë çokollatat, por mohoi se kishte shtuar ndonjë substancë helmuese.