Site icon Informohu siç duhet

Tragjedi në plazh/ 13-vjeçari sulmohet nga peshkaqeni teksa luante me shokët, humb jetën

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Brazilin, ku një djalë 13-vjeçar ka humbur jetën pasi u sulmua nga një peshkaqen ndërsa po luante me shokët e tij në det.

Viktima, Deivson Rocha Dantas, ndodhej në ujërat pranë plazhit Chifre, në shtetin Pernambuco, kur u sulmua papritur nga peshkaqeni, i cili e kafshoi në kofshën e djathtë.

Sipas dëshmitarëve, një person arriti ta nxirrte menjëherë djalin nga uji dhe t’i jepte ndihmën e parë. 13-vjeçari u transportua me urgjencë drejt spitalit pas sulmit që ndodhi të enjten, por për fat të keq nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të marra.

Komiteti Shtetëror për Monitorimin e Incidentëve me Peshkaqenë (CEMIT) bëri me dije se i mituri kishte humbur një sasi të madhe gjaku, pasi kafshimi kishte prekur një zonë me arterie kryesore.

Mjeku Levy Dalton, i cili ishte pjesë e ekipit që u përpoq ta shpëtonte, deklaroi se djali mbërriti në spital pa shenja jete. “Ekipi ynë ishte i përgatitur dhe u zbatuan të gjitha protokollet e mbështetjes jetësore të avancuar, por fatkeqësisht ishte e pamundur ta shpëtonim,” u shpreh ai.

Pas incidentit, autoritetet lokale kanë rritur nivelin e alarmit për rrezikun nga peshkaqenët në zonë. Plazhi Chifre kishte tashmë katër paralajmërime të vendosura, ndërsa në të gjithë qytetin janë instaluar 13 tabela sinjalizuese për të informuar dhe paralajmëruar pushuesit.

Exit mobile version