Të paktën 50 refugjatë sudanezë humbën jetën pasi anija me të cilën udhëtonin pranë brigjeve të Libisë u përfshi nga flakët.
Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) njoftoi se në bordin e anijes ndodheshin rreth 75 persona, shumica sudanezë, të cilët po përpiqeshin të arratiseshin nga varfëria dhe konfliktet në vendin e tyre, me shpresën për një jetë më të mirë në Evropë.
Ngjarja ndodhi të dielën, ndërsa IOM e konfirmoi një ditë më vonë. Ekipet e organizatës ofruan ndihmë mjekësore dhe mbështetje humanitare për të mbijetuarit. Shkaqet e zjarrit ende nuk janë të qarta.
Që nga rrëzimi i regjimit të Moamer Gadafit në vitin 2011, Libia ka mbetur një nga rrugët kryesore të tranzitit për migrantët drejt Evropës, por mungesa e stabilitetit politik dhe prania e grupeve të armatosura e bëjnë vendin jashtëzakonisht të rrezikshëm. Migrantët shpesh përballen me abuzime, trafikim dhe kushte çnjerëzore në kampet e paraburgimit.
Sipas të dhënave të fundit të IOM-it, këtë vit mbi 860 mijë migrantë kanë qëndruar në Libinë, nga 44 shtete të ndryshme, shumë prej të cilëve në një situatë të pasigurt dhe të varur nga ndihmat ndërkombëtare.
Organizatat humanitare apelojnë për zgjidhje të qëndrueshme, respektimin e të drejtave të migrantëve dhe hapjen e rrugëve të sigurta dhe ligjore për azil. Pa bashkëpunim ndërkombëtar, jetët e migrantëve do të vazhdojnë të rrezikohen në përpjekjen për një të ardhme më të mirë.

