Tre persona humbën jetën, katër të tjerë u plagosën dhe nëntë rezultojnë të zhdukur pasi një varkë e vogël u përmbys herët në mëngjesin e së hënës në oqean, pranë San Diegos, njoftuan autoritetet lokale.
Sipas Departamentit të Sherifit të San Diegos, ngjarja ndodhi rreth orës 06:30 pranë plazhit shtetëror Torrey Pines, ku disa agjenci, përfshirë edhe Rojën Bregdetare të SHBA-së, iu përgjigjën raportimeve për një varkë të përmbysur të tipit “panga”.
Roja Bregdetare bëri të ditur në rrjetin X se po kërkon për nëntë persona të zhdukur në ujërat rreth 15 milje në veri të qendrës së qytetit San Diego.
Varkat “panga” janë mjete lundruese të hapura, të projektuara fillimisht për peshkim, por që shpesh përdoren nga kontrabandistët për transport të paligjshëm të njerëzve ose mallrave përgjatë kufijve bregdetarë.
Nuk është konfirmuar ende nëse incidenti ka lidhje me ndonjë përpjekje të paligjshme kalimi të kufirit detar.
Hetimet janë në zhvillim e sipër, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë pa ndërprerje.

