Një 13-vjeçar çek humbi tragjikisht jetën sot në Alpet Austriake pasi u përfshi nga një ortek, ndërsa tre persona të tjerë u plagosën.
Ngjarja ndodhi në vendpushimin Sportgastein, ku i riu po bënte ski bashkë me një fëmijë tjetër. Sipas Andreas Kandler, kreut të shërbimeve të shpëtimit malor në Bad Gastein, 13-vjeçari ishte larguar nga pista kur u rrëmbye nga orteku.
Në një incident tjetër në Untertauern, një skiatore dhe partneri i saj u përfshinë gjithashtu nga një ortek. Burri arriti të shpëtonte gruan, e cila pësoi lëndime të lehta.
Raportimet e fundit tregojnë se ortekë të tjerë kanë ndodhur të dielën pasdite në rajonin Virberg, pranë Tirolit në perëndim të Austrisë, ku një skiator 58-vjeçar humbi jetën dhe disa të tjerë u plagosën.
Vetëm gjatë këtij fundjave, gjashtë skiatorë kanë humbur jetën nga ortekët në Alpet Franceze dhe Austriake, duke nënvizuar rrezikun e lartë të reshjeve të borës dhe lëvizjes së ortekëve këtë sezon.
