Një ngjarje e rëndë dhe tronditëse ka ndodhur në aeroportin Orio al Serio në Bergamo të Italisë, ku një 35-vjeçar ka humbur jetën në mënyrë tragjike pasi u “thith” nga motori i një avioni në momentin që ai po përgatitej për ngritje.
Viktima është identifikuar si Andrea Russo, 35 vjeç. Sipas pamjeve filmike që po qarkullojnë në rrjet, ai shihet duke vrapuar në pistë drejt avionit, ndërsa disa punonjës sigurie ndodhen në zonë, por nuk arrijnë ta ndalojnë në kohë.
Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes. Deri tani, skenari më i mundshëm që po hetohet është vetëvrasja, për këtë arsye po analizohet sjellja dhe lëvizjet e Rusos në orët e fundit para incidentit.
Ende nuk është bërë e qartë sesi 35-vjeçari ka arritur të shmangë kontrollet e sigurisë dhe të hyjë në një zonë kaq të ndjeshme të aeroportit, pikërisht në pistën e nisjes. Ngjarja ka ngritur shqetësime serioze mbi standardet e sigurisë në aeroport dhe përgjegjësinë e autoriteteve përkatëse.
Ndërkohë, ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe në publik dhe në rrjetet sociale, për shkak të mënyrës së tmerrshme në të cilën ndodhi humbja e jetës së 35-vjeçarit.


