Gjykata e Lezhës vendosi sot masën e sigurisë “burg pa afat” për 30-vjeçarin Francesk Mecaj, i arrestuar për trafik armësh drejt Italisë.
Arrestimi i tij u konsiderua i ligjshëm nga gjykata, ndërsa Mecaj rezulton me precedent penal në vendin fqinj.
Mecaj u arrestua pak ditë më parë në Malësi të Madhe si personi që kishte futur armë zjarri në një valixhe me qëllim transportimin e tyre drejt Italisë. Sipas burimeve, informacioni për aktivitetin e tij erdhi nga Guardia di Finanza, e cila kishte ndaluar dy shoferë autobusësh, brenda bagazheve të të cilëve u gjetën armë zjarri dhe municion. Më pas, dy të dyshuarit u vunë nën përgjim.
Hetimet zbuluan se më 16 korrik, Mecaj kishte telefonuar administratorët e linjës me një numër italian dhe kishte kërkuar transportimin e një valixheje që sipas tij përmbante ushqime. Takimi u realizua në Milot, ku Mecaj u filmua teksa dorëzonte valixhen dhe 50 euro. Valixhja më pas u dorëzua në Itali tek një person i huaj.
Rreth tre javë më vonë, Mecaj kontaktoi përsëri agjencinë për një tjetër dërgesë në Itali.
Edhe kësaj radhe takimi u realizua në Milot, por autoritetet italiane ndaluan furgonin ku u kapën 5 armë kallashnikov, 5 krehëra dhe 356 fishekë. Në pranga ranë shoferët Arian Deda dhe Eltion Muca, ndërsa autoritetet janë ende në kërkim të shtetasit italian që do të priste valixhen me armë zjarri.


