TIRANË- Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka njoftuar se të paktën 500 skutera “Bin Bin” janë tashmë në të gjitha rrugët e Tiarnës. Të vendosura më së shumti në kryqëzimet kryesore të kryeqytetit, për të gjithë ata persona që duan të lëvizin me një mjet ekologjik.
Gjithashtu në prezantimin e këtij projekti, Veliaj theksoi se përdorimi i “Bin Bin” duhet bërë duke respektuar rregullat e qarkullimit.
Tashmë edhe për qytetarët e Tiranës, ato që vijnë nga qytetet e tjera për pak orë në kryeqytet apo për të gjithë turistët që duan një mënyrë ndryshe apo më të lehtë për eksploruar vendin tonë, këto skutera janë një risi. E parë shpesh nga ne, në vende të ndryshme të botës, por tashmë bëhet realitet edhe në Tiranë.
“Tirana është bërë një qytet tejet turistik. Kjo do të thotë se qyteti, gjithmonë e më shumë, do t’i ofrojë mjete të tilla edhe për një treg tjetër, ndërkombëtar. Pra, nuk është momenti për t’i vandalizuar, as për abuzim, janë mjete që kushtojnë dhe duhen mirëmbajtur nga secili prej nesh, që ta lëmë në të njëjtën gjendje që e gjetëm. Na duhet një bashkëpunim si për çështje kundër vandalizimit, qoftë për çështje të sigurisë, jo vetëm me bashkinë por edhe me Policinë e Shtetit, Policinë Rrugore, Policinë Bashkiake, për të edukuar si mund të përdoret ky mjet i ri, sepse ashtu si çdo mjet tjetër, mund të shërbejë për të bërë punë, por mund të kthehet edhe në një armë për të prishur punë në momentin që përdoret keq.”– u shpreh Veliaj.