Qindra qytetarë janë mbledhur në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që ndodhen në paraburgim në Hagë.
Në këtë protestë, fjalën e mori ish-Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, i cili përshkroi luftëtarët e UÇK-së si njerëz të drejtë dhe të guximshëm, duke theksuar rëndësinë e sakrificës së tyre për lirinë e Kosovës dhe të gjithë shqiptarëve.
“Jemi mbledhur për të mbrojtur dinjitetin tonë kombëtar, për të ngritur zërin kundër padrejtësisë që po u bëhet bijve më të mirë të Kosovës dhe kombit shqiptar. Luftëtarët e UÇK-së luftuan për lirinë e atdheut; komandantët e UÇK kanë bërë detyrën më të lartë që njeh historia”, deklaroi Moisiu, duke marrë duartrokitje të shumta nga protestuesit.
Flamuj kuq e zi, pankarta me thirrje për drejtësi dhe simbole të UÇK-së mbushën sheshin, duke reflektuar mbështetjen e gjerë të shqiptarëve nga të gjitha trevat për ish-liderët e UÇK-së.


