Tirana kthehet të fitojë derbin pas 10 ndeshjesh pa shijuar suksesin në sfidën e ethshme të kryeqytetit dhe e bën në momentin e duhur. Bardheblutë i kanë dhënë një leksion të mirëfilltë Partizanit duke e mposhtur me shifrat 3-0 dhe duke marrë një fitore shumë të rëndësishme për ecurinë e tyre në luftën për mbijetesë.
Ndeshja nisi me afro 10 mijë tifozë në shkallët e stadiumit. Tirana e cila para këtij dueli mbante vendin e fundit ishte më kërkuese dhe dominoi fushën. Duhej minuta e 19-të që në zhvillimet e një goditjeje dënimi, sfera të stampohej në traun e portës së mbrojtur nga Alban Hoxha dhe në kthim francezi Zhamruni nuk e pati të vështirë ta ndalte në rrjetë me kokë.
Festë bardheblu në stadium dhe motivim për djemtë e Bledi Shkëmbit. Fill pas pësimit të golit, Skënder Gega reagoi dhe largoi Mintongon për t’i bërë vend Gjergji Kotes. Paçka se të kuqtë nisën ta merrnin veten, Zharmuni ishte i pandalshëm dhe në minutën e 41-të i bëri të gjitha vetë. Kontrolli i bukur i topit, driblimi i rivalëve dhe pasimi në zonë u ndal me dorë nga mbrojtësi Ismajli; teksa arbitri Juxhin Xhaja nuk hezitoi të akordonte 11 metërsh, miratuar edhe nga VAR.
Nga penalltia Zharmuni nuk gaboi dhe qetësoi tifozët në tribuna dhe Shkëmbin në stol. Pjesa e parë u mbyll me këto shifra, ndërsa fraksioni i dytë nisi me Eleke e Semeben në fushë për të kuqtë, në vend të Bintsuka e Osmanllari.
Sfida vijoi me raste për Tiranën, ndërsa gjithçka u “vulos” nga gafa e Sembene. Pasimi i gabuar në prapavijën e Partizanit u shfrytëzua nga Ernest, që dribloi Alban Hoxhën dhe u ndal me faull në zonë nga gardiani i të kuqve. Tjetër penallti dhe Ernest e ndal sferën në rrjetë. Në fundin e sfidës, në të 88 minutë Albers Keko i Partizanit shënoi një supergol nga afro 30 metra, por që u anulua nga VAR për pozicion jashtë loje.
Pas dhjetë sfidave pa fitore në derbi, Tirana ia del dhe merr tri pikë jetike. Hera e fundit që bardheblutë provonin triumfin në derbin kundër Partizanit ishte më 2 tetor të vitit 2022, kur Xhixha shënonte dy herë. Këtë sezon tre ndeshjet e para mes tyre kanë përfunduar barazim.
Pas këtij suksesi, Tirana me 35 pikë ngjitet në pozitën e tetë duke lënë pas Teutën dhe Laçin, teksa Partizani me 47 pikë mban vendin e katërt që të dërgon në “Final 4”, zonën që të lejon garën për titullin kampion, por me vetëm një pikë para AF Elbasanit.
Sfida e radhës për Tiranën është në udhëtim, kundër rivalëve direkt të Skënderbeut. Nga ana tjetër Partizani pret kampionët në fuqi dhe kryesuesit e Egnatias.