Një episod i pazakontë ndodhi pas finales së Kupës së Botës për Klube, ku Chelsea mposhti PSG-në 3-0 dhe ngriti trofeun në “MetLife Stadium” të New Jersey-t. Gjatë ceremonisë, presidenti amerikan Donald Trump u shfaq papritur në skenën e festimeve, duke dalë jashtë protokollit dhe duke shkaktuar konfuzion te lojtarët.
Falë ekspertes së leximit të buzëve Nicola Hickling, në bashkëpunim me OLBG, është zbardhur tani se çfarë u tha mes Trump dhe disa prej lojtarëve të Chelseat.
Cole Palmer, autori i dy golave, i habitur nga prania e Trump pranë trofeut, thuhet se i tha një shoku të skuadrës: “A mund t’i thuash të lëvizë pak më andej?… prit, çfarë po ndodh?”
Ndërkohë, Trump i kërkoi kapitenit Reece James të mbante trofeun me të, por James iu përgjigj qetësisht: “Unë e kam në dorë këtë.”
Duket se kjo nuk i pëlqeu Trump, i cili më pas iu kthye portierit Robert Sanchez duke thënë: “Çfarë? Hajde, të vazhdojmë.”
Në fund, ishte Sanchez ai që mori iniciativën për të zgjidhur situatën e sikletshme, duke i thënë shokëve: “Numërojmë deri në tre, hajde, hajde.”
Ky moment i pazakontë është bërë viral, duke ndezur debatet për rolin e figurave politike në ceremonitë sportive. Ndërkohë, as vetë lojtarët e Chelseat nuk ishin të përgatitur për një “bashkëfestim” presidencial.


