TIRANË– Kryeministri Edi Rama ditën e sotme deklaroi se procesi i integrimit në Bashkimin Evropian ka në të njëjtën kohë mundësi të mira dhe rrezik për sipërmarrjen.
Gjatë një takimi me operatorët ushqimorë, Rama deklaroi se nga njëra anë integrimi hap një horizont mundësish për bizneset, ndërsa nga ana tjetër theksoi se mund të jetë fatal për bizneset që nuk përmbushin standardet e kërkuara.
Kreu i qeverisë theksoi se sipërmarrjet duhet të informohen qartë për sfidat që i presin dhe për nevojën për të kuptuar pozicionin e tyre aktual në raport me standardet e BE-së.
Rama u ndal te sektori i sigurisë ushqimore, duke pranuar se kjo është një nga fushat ku Shqipëria ka kërkuar më shumë kohë në kuadër të negociatave me BE-në për përmbushjen e standardeve. Sipas Ramës, autoritetet duhet të ndërveprojnë me rreth 900 subjekte të identifikuara me risk, duke paralajmëruar se për këto ekziston rreziku i mbylljes.
“Të informojmë sipërmarrjen për atë që e pret nga integrimi në BE, është thikë me dy presa. Njëra është horizont mundësish për ata që do jenë të përgatitur dhe ana tjetër humnerë për ata që nuk do jenë të përgatitur. Ky është realiteti. Ne duhet ta bëjmë të qartë, për të cilët janë të angazhuar, se e nesërmja do të jetë fatale, nëse sot nuk do të kuptojnë se ku janë në raport me standardet dhe se çfarë duhet të bëjnë për të qenë të përgatitur për nesër. Procesi i negociatave është vërtet një proces negociatash ku ne na duhet pak më shumë kohë, është ajo që lidhet me këtë fushë, të sigurisë ushqimore. Ne dhe BE negociojmë për një shtyrje për tej afateve, ku standardet duhet të jenë 100% për 100% për ata që janë përfshirë në sektorin e bujqësisë. BE kanë lënë një sërë detyrash, të cilat ne përmes inspektoratit duhet të ndërveprojmë me 900 subjekte, të cilat kanë rrezikun shumë të qartë. Rreziku i mbylljes. Kjo kërkon informim.”– tha Rama./Radar.al

