Site icon Informohu siç duhet

Tetë ditë betejë me flakët, Elbasani gjen qetësi, shuhen vatrat e rrezikshme të zjarreve

Pas tetë ditësh të gjata me vatra të shumta dhe të rrezikshme zjarresh, mëngjesi i së dielës ka sjellë një lehtësim të ndjeshëm në Qarkun e Elbasanit. Situata paraqitet dukshëm më e qetë, ndërsa përpjekjet për shuarjen e plotë të flakëve vijojnë në disa zona malore të Bashkisë Librazhd.

Zjarret kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në mjedis, duke përfshirë sipërfaqe të mëdha me pyje, shkurre, bimësi të dendur dhe pemëtari, veçanërisht në disa fshatra të bashkive Elbasan dhe Librazhd. Ndër vatrat më problematike ishte ajo në zonën malore të Shmilit, e cila u vu nën kontroll vetëm në orët e para të ditës së sotme.

Drejtori i Emergjencave Civile të Bashkisë Elbasan, z. Ndriçim Sinani, informoi se mbi 90 forca janë angazhuar çdo ditë në terren, përfshirë zjarrfikës, punonjës të bashkisë, ushtrinë dhe emergjencat civile. Ndërhyrja shpesh është bërë në kushte të vështira për shkak të erërave të forta dhe terrenit të thyer, duke përdorur edhe mjete të improvizuara kur situata e kërkonte.

Pas një jave përpjekjesh intensive, është shuar edhe zjarri në masivin pyjor midis fshatrave Lugaxhi dhe Dritas. Në Librazhd, ende janë aktive disa vatra në pyjet e Orenjës, Gurakuqit dhe Kostenjës, ku ndërhyrjet po vijojnë me përfshirjen edhe të banorëve lokalë. Shefi i shërbimit zjarrfikës në Librazhd, z. Partizan Ballolli, shprehu besimin se brenda ditës së sotme do të arrihet shuarja e plotë e flakëve.

Aktualisht nuk ka rrezik për banesat apo jetën e qytetarëve, por autoritetet janë në gatishmëri të vazhdueshme.

Exit mobile version