Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar se marrëveshja e paqes për Gazën, e cila parashikon çarmatimin dhe çmobilizimin e Hamasit, nuk do të jetë e lehtë për t’u zbatuar.
Në një intervistë për NBC News, Rubio theksoi se megjithëse Hamasi ka pranuar “në parim” marrëveshjen, faza e zbatimit mbetet një ndër sfidat më të mëdha.
“Do ta kuptojmë shumë shpejt nëse Hamasi është vërtet serioz, nga mënyra se si do të zhvillohen bisedimet teknike dhe proceset logjistike,” u shpreh Rubio, duke iu referuar takimeve që pritet të mbahen nesër në Egjipt mes përfaqësuesve të Hamasit, Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara.
Sa i përket çështjes së pengjeve, Rubio shprehu optimizëm se lirimi i tyre do të ndodhë “sa më shpejt të jetë e mundur”, duke e cilësuar këtë si një hap vendimtar drejt arritjes së paqes në rajon.

