Shërbimi Meteorologjik Ushtarak parashikon që vendi ynë të vijojë të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme gjatë ditës së sotme. Moti do të jetë kryesisht i kthjellët në të gjithë territorin, ndërsa në orët e mesditës dhe pasdites priten vranësira të pakta deri mesatare kalimtare, kryesisht në zonat malore të lindjes.
Temperaturat do të shënojnë rritje, duke arritur deri në 36 gradë Celsius në disa zona të vendit. Era do të fryjë nga verilindja dhe veriperëndimi me shpejtësi mesatare rreth 7 m/s, ndërsa në detet Adriatik dhe Jon valëzimi do të mbetet i ulët, me forcë 1-2 ballë.
Kushtet e favorshme atmosferike pritet të krijojnë një ditë ideale për aktivitetet në natyrë dhe përgjatë vijës bregdetare.


