Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu në një lidhje live për Klan News tha se situata aktuale e turizmit në Lezhë është pozitive.
“Sezoni ka filluar, nuk është në pikun e vet, kuptohet. Le ta themi që 15 ditëshi i parë i Korrikut nuk ka qenë asnjëherë piku. Mendoj se me disa kontakte me disa operatorë turistikë situata është në përmirësim të përditshëm. Disa njësi akomoduese që kanë më shumë organizim dhe më shumë shërbim më të mirë janë pothuajse plot, ndërsa ka të tjera që nuk janë në nivelin e tyre. Gjithsesi e përgjithshmja në Lezhë është pozitive, duke pasur parasysh që jo vetëm turizmi bregdetar është ai që e mat këtë, por është edhe turizmi në objektet historike, religjioze, është edhe ajo në Lezhë qershia mbi tortë që është turizmi kulinar”, tha Ndreu.
Një numër i larmishëm turistësh që vizitojnë Lezhën kryesisht gjatë sezonit veror janë nga vende të ndryshme. Kryetari i bashkisë shprehet se ka shumë familje, gjermane, franceze dhe polake që kanë blerë apartamente në zonën e Shëngjinit.
“ Kemi restorante që kalon 100 mijë turistë në vit që darkojnë apo drekojnë aty. Laguna e Kune Vainit, por Vaini sidomos është një histori shumë e dashur për shumë e shumë të huaj, që shkojnë pasi rruga është e kuruar, gastronomia në nivele shumë të larta. Laguna është gjë e bukur për ta parë dhe të gjitha bashkë e bëjnë Lezhën shumë të frekuentueshme dhe frekuentimi po rritet”, shtoi Ndreu.
Sipas tij me përmirësimin e infrastrukturës pritet të shtohet edhe numri i vizitorëve.
Ndreu theksoi se bashkia ka adresuar çdo problem dhe pritet që shumë shpejt gjithçka të marrë zgjidhje.